Foto: Atdhe Mulla

Deputeti i VV-së për takimet me LDK-në: Duhet të pajtohemi edhe për parimet udhëheqëse

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se partia e tij është duke punuar që marrëveshja për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të reflektojë përmbajtje që e mundëson ndryshimin e kërkuar nga populli.

Bajqinovci përmes një publikimi në Facebook, ka komentuar edhe një deklaratë të nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, që është përcjellë sot në mediat vendore, ndonëse nuk ia ka përmendur emrin.

Nënkryetari Veliu sot gjatë ditës citohet të ketë thënë se Lëvizja Vetëvendosje është përgjegjëse për krijimin e institucioneve, pasi ka dalë parti e parë, ndërsa LDK-ja e dyta.

“Njëri nga nënkryetarët e LDK –së, paska deklaruar se ‘LDK i ka humbur zgjedhjet nuk është parti e parë, jemi të detyruar t’i presim hapat e LV – së që është përgjegjëse për krijim të institucioneve’, një qëndrim ky tërësisht korrekt i tij ashtu siç ne jemi të bindur se LDK, është një partner me një legjitimitet demokratik të respektueshëm i cili ka ardhur nga opozitarizmi i koordinuar mirë në Kuvendin e Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje, pra një binom i mandatuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës si opsioni më i besueshëm për të bërë ndryshimet rrënjësore në qeverisjen e vendit”, ka shkruar deputeti i VV-së.

Deputeti i sapozgjedhur ka shtuar se e kanë obligim ta nxjerrin vendim nga kriza.

“Këtë duhet ta bëjmë në mirëbesim dhe mirëkuptim të plotë fillimisht duke e kuptuar e lexuar zërin e qytetarëve, pastaj duke përjashtuar çdo metodë, skemë e mendësi të kuptimit të pozitave e pushtetit, sikurse në modelin e të kaluarës”, ka shkruar ai.

“Lëvizja është duke punuar shumë që marrëveshja për bashkëqeverisje, të reflektojë përmbajtje të tillë që e mundëson ndryshimin e kërkuar nga populli. Dhe nuk po flasim këtu thjesht dhe vetëm për votuesit e LVV, por edhe ata të LDK, sepse edhe ai elektorat ka votuar me bindje dhe motive të përafërta: çkapje e shtetit, instalim i meritokracisë, rikthimin e rendit dhe të ligjit”, thuhet në shkrimin e tij.

Sipas Bajqinovcit, VV dhe LDK janë  për programin, por se duhet të pajtohen edhe për parimet udhëheqëse.

“Ejani të qeverisim bashkë jo siç them unë apo siç thua ti, por siç thotë projekti për ndryshim e transformim të thellë në qeverisjen e vendit, për çka edhe jemi votuar”, ka bërë thirrje ai.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës këtë fillimvit i kanë intensifikuar takimet në nivel të kryetarëve të partive, si përpjekje për një marrëveshje finale për bashkëqeverisje, ndonëse ende pa rezultat.

Në drejtim të fituesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, VV-së, përveç presionit publik është rritur edhe ai institucional, pas një letre që së fundi presidenti i vendit Hashim Thaçi i ka dërguar kryetarit të VV-së, Albin Kurti, për t’ia kërkuar emrin e mandatarit për kryeministër.

Takimet e (mos) marrëveshjeve VV – LDK