Deputeti i VV-së: Në seancën e thirrur nga PAN-i nuk do të miratohet asnjë pako për coronavirus

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se në seancën e thirrur nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës për të martën nuk do të miratohet asnjë pako e re për coronacrus pasi që një e tillë është duke u miratuar.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Murati ka shkruar se një pikë e tillë as nuk është në rend të ditës.

“Pakoja me masat për të ndihmuar ekonominë dhe të prekurit nga COVID-19 tashmë është miratuar nga Qeveria dhe vecse ka filluar zbatimi i saj. Në seancen e së martes të thirrur nga PAN-i nuk do të miratohet kurrfarë pako për COVID-19, sepse një gjë e tillë as që është në rend dite”, ka shkruar Murati.

Tutje ai ka njoftuar se e vetmja pikë e rendit të ditës është një “është një draft-rezolutë me një listë dëshirash, e cila nuk ka asnjë efekt juridik”.

“Besoj u kujtohet një rezolutë e ngjashme e miratuar para 2 viteve për shtesat e femijëve. Edhe pako e PAN-it ka efektin e njejtë juridik. Andaj është mirë që të mos dezinformohet publiku. Deputetët e opozitës bën mirë që të ndjekin shembujt e shumtë të deputetëve opozitarë anembanë botës, të cilët po lënë anash të gjitha dallimet dhe garat politike dhe po e vendosin shëndetin e qytetarëve si prioritet”, ka shkruar tutje Murati.

Deklaratat e Muratit erdhën pasi gjatë ditës së sotme u mbajt mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku PDK ka propozuar të miratohet një pako emergjente në vlerë prej 320 milionë euro për të ndihmuar bizneset, punëtorët e sektorit privat dhe të tjera kategori të prekura nga situata me COVID-19.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të martën e javës së ardhshme në një seancë të jashtëzakonshme, nga ora 11:00, të thirrur nga PDK-ja e cila ka propozuar një pako emergjente për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi.

Memli Krasniqi nga PDK-ja pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se presin që propozimi i tyre të përkrahet nga partitë politike parlamnentare.

“Qëndrimi ynë si PDK ishte që ne nuk mund të humbin kohë dhe të martën në këtë seancë të gjejmë rrugëdalje në mënyrë që të kemi një vendimmarrje të përbashkët. Ne kemi propozuar një draft-rezolutë dhe kemi nisur dy nisma legjislative. Njëra ka të bëjë me plotësim-ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive dhe një ligj të veçantë për masat që duhen ndërmarrë në lidhje me pandeminë”, tha ai.