Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-Presidenti Hashim Thaçi

Deputeti i VV: Drejtori dhe kryeinspektori i AKI-së, të lidhur me Thaçin dhe Haradinajn (VIDEO)

 

Arbër Rexhaj, deputet nga VV që në mandatin e fundit ishte pjesë e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së në një intervistë dhënë për Drejtësia në Kosovë thotë se emërimet në AKI, janë persona të lidhur me presidentin dhe kryeministrin.

“Edhe drejtori i AKI-së edhe kryeinspektori janë persona që janë të afërt me politikën, me Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn”, thotë Rexhaj për Drejtësia në Kosovë.

Përveç lidhjes partiake, këto emërime, Rexhaj i sheh edhe si anti-kushtetuese.

“Përzgjedhja e tyre është bërë në formë anti-kushtetuese sepse kryeministri në ikje nuk ka të drejtë që një institucion me ndjeshmëri kaq të lartë si AKI, që të bëjë pazare me këtë institucion, që të zgjedhin drejtorin që është i afërt me Hashim Thaçin dhe kryeinspektori që ka qenë kandidat për deputet dhe meqenëse nuk fitoj dhe u ankua që partia ia ka vjedhë votat, kam përshtypjen Haradinaj u detyrua që të ia gjej një vend”, tha Rexhaj për Jeta në Kosovë.

Arbër Rexhaj, VV

“AKI ka kohë që është bërë vend ku mbizotëron politika dhe ku po sundon punësimi mbi baza jo meritore dhe ku ish panistët po mundohen që ta kapin edhe më shumë shtetin”, shtoi ai.

“Unë mendoj që z.Kurti nuk do t’i pranoj këta dy persona, sepse janë kryekëput politik”, thotë deputeti Rexhaj.

Në fillim të kësaj jave Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj njoftoi se ka emëruar Kreshnik Gashin drejtor të AKI-së dhe Burim Ramadanin kryeinspektor.

Kreshnik Gashi mbante postin e drejtorit në ARKEP, ndërsa Burim Ramadani deri para emërimi ka qenë pjesë e partisë së Haradinajt, madje në zgjedhjet e 6 tetorit, ishte kandidat për deputet por që nuk mori votat e mjaftueshme.