Deputeti i PDK-së: Rënia e ‘Bllokut B’ është paralajmëruar në tetor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala tha në të martën në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës se ka pasur paralajmërime që nga muaji tetor se ‘Blloku B’ në KEK do të bie na sistemi.

Shala tha se në ndërrimin e dytë dhe tretë të datës 18 tetor janë evidentuar prishje.

“Mbështetur në raportet e punëtorëve dhe inxhiniereve të KEK-ut, kjo rënie e sistemit të bllokut B është paralajmëruar teknikisht ditë më parë. Saktësisht raporti i punës së ekipeve inxhinierike nga data 18. 10. 2021, në ndërrimin e dytë dhe në ndërrimin e tretë janë evidentuar se ka prishje, rrjedhje apo ndodhje teknike në këtë bllok që tash është jashtë funksionit”, tha Shala nga foltorja e Kuvendit.

Shala gjatë seancës së jashtëzakonshme për shqyrtimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat emergjente në furnizimin e energjisë tha se këto prishje nuk janë rregulluar me kohë.

“Ka pasur rrjedhje të ujit që në kuptimin inxhinierik nuk është dashur të tolerohet që të vazhdojë puna e tij. Në ndërrimin e dytë ka rrjedh brenda orës rreth 0.37 metër kub ujë. Ka vazhduar e njëjta rrjedhë edhe në ndërrimin e tretë dhe për çudi nuk kemi asnjë veprim menaxhues që në këtë bllok të sanohet dëmi sa ishte i vogël dhe të mos dalë jashtë funksionit. Ekipet profesionale do të duhej të reagonin”, ka shtuar Shala.