Deputeti i PDK-së për vaksinat nga Serbia: Po cenohet sovraniteti i Kosovës

Serbët në veri të Kosovës nga sot kanë filluar të marrin vaksinën kundër COVID-19 të kompanive Pfzer/BioNTech, pasi e njëjta vaksinë ka arritur para disa ditëve në Serbi.

Vaksinimi i qytetarëve serb në Kosovë ka ngjallur reagime të anëtarëve të partive politike për mosreagimin e instuticioneve të Kosovës në lidhje me këtë çështje.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike ka thënë se Serbia me vaksinimin në Veri të Kosovës po cënon sovranitetin e Kosovës, duke i numëruar sipas tij dështime e qeverisë Hoti dhe Kurti gjatë kohës së pandemisë.

“Hoti u dorëzua si Kurti me 1000 testet nga Serbia.Vaksinimi në Veri dhe pranimi i 1000 testeve donacion nga Serbia janë argumente të dështimit të Hotit e Kurtit në Veri. Dështimet e qeverive Hoti e Kurti në Veri të vendit gjatë pandemisë: Albin Kurti pranoi 1000 teste donacion nga Serbia, i lejoi mjekët nga Serbia të punojnë në Kosovë gjatë pandemisë dhe respektoi orën policore të Vuçiqit ne Veri,  Avdullah Hoti lejoi vaksinimin në Veri të organizuar nga Serbia, iu nënshtrua orës policore të Serbisë në Veri, për më pak se një vit Qeveritë Hoti e Kurti i’u nënshtruan Serbisë se Vuçiqit në Veri”, ka shkruar Haxhiu në postimin e tij.

Haxhiu tutje i ka numëruar veprimet e PDK-së gjatë kohës së qeverisjes në Veri të vendit.

“Dua t’ua rikujtoj këtyre mashtruesve disa nga veprimet që PDK për 7 vite në Qeveri i bëri në Veri. Ndaloi trenin e nisur në Serbi , rrëzoi murin, arrestoi Gjuriqin në Veri, shtriu autoritetin e shtetit në Veri deri në pika 1 dhe 31, organizoi 5 palë zgjedhje me ligjet dhe Kushtetuten e Kosovës, ndërtoi mbi 220 shtēpi tē shqiptarëve ne Veri, investoi në infrastrukturë dhe rikthim te banorëve shqiptarë në Veri”, ka shkruar Haxhiiu.

Ai tutje ka thënë se PDK është e vetmja parti që ka shtrirë sovranitetin e shtetit të Kosovës në Veri dhe ka investuar në Veri.

KALLXO.com ka raportuar sot se kabineti i kryeministrit Avdullah Hoti nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë.

KALLXO.com ka biseduar me Antigona Baxhakun, nga kabineti i qeverisë Hoti, por e njëjta ka thënë se nuk ka informacion për këtë.

“Nuk mund të them asgjë sepse unë nuk kam informacion”, tha Baxhaku.

Tutje KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, në lidhje me këtë rast por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Kabineti i Hotit i painformuar për nisjen e vaksinimit nga Serbia në veri të Kosovës