Deputeti i PDK-së: Një pjesë e jona i çojmë fëmijët në shkolla private (VIDEO)

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka thënë se një pjesë e atyre që po fajësojnë të tjerët për grevën, i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla private.

Sipas Beqës, kjo është e pasinqertë nga ana e tyre.

“Pozita bën thirrje të reflektojnë grevistët, opozita bën thirrje të reflekton qeveria, nxënësit rrijnë në shtëpi, një pjesë ndoshta i çojmë fëmijët në shkolla private dhe kjo më të vërtetë është shumë e pasinqertë prej atyre që e kanë përgjegjësinë t’i fajësojnë të tjerët” – ka thënë Beqa.

Beqa tutje ka thënë se kryeministri Kurti kur ka qenë në opozitë ka përkrahur fuqishëm grevistët.

“Ne i kemi pa edhe qëndrimet e juaja kur keni qenë opozitë dhe zotëri Kurti fuqishëm ishte në përkrahje të grevës, sot në pushtet i njëjti person por në rolin e ndryshëm thotë që është fuqishëm kundër grevës. E kisha pyet zotëri Kurtin, a keni qenë atëherë i vërtetë apo jeni tani i sinqertë dhe i vërtetë” – ka thënë Beqa.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon edhe sot debatin parlamentar për grevat në Kosovë.

Në anën tjetër, që nga 25 gushti, ka filluar greva e përgjithshme në Kosovë.