Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Deputeti i PDK-së: Nashta është shkarku ministrja Donika Gërvalla...

Kuvendi i Kosovës ka diskutuar shqyrtimin e raportit me rekomandime lidhur me auditimin e pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vitin 2020.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, tha se diskutimi i këtyre rekomandimeve do të duhej të bëhëj me praninë e ministres, Donika Gërvalla.

Beqa tha se Gërvallën e kanë ftuar edhe në komisionin funksional por ajo nuk ka shkuar.

Deputeti Beqa madje bëri hamendësime se ministrja mund të jetë shkarkuar nga kryeministri Albin Kurti.

“Nuk po pres me na pru ndonjë njohje, ajo e di edhe vetë që nuk mundet me pru njohje. Por nuk është diplomaci shkarkimi i ambasadorëve dhe të mbetemi pa përfaqësues. Nashta është shkarku Donika se me të vërtetë nuk e kemi pa aktive as brenda as jashtë vendit, madje as në fushatë. Ndoshta është mirë me na tregu, që mos t’i bijna në qafë, se as kryeministri nuk qenka këtu me na tregu”, tha Beqa.

Ndërkaq, për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve për këtë temë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ministrja e Punëve të Jashtme e ka autorizuar ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin.

Peci tha se ministrja Gërvalla është në vizitë zyrtare në Kanada.

Me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rekomandimet për këtë pikë.