Deputeti i PDK-së: Kosova, i vetmi vend në botë që po përballet me valën e tretë të pandemisë

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se qeveria në krye me Albin Kurtin dhe ajo me kryeministrin Avdullah Hoti nuk kanë menaxhuar mirë me pandeminë, por edhe kanë përfituar nga situata.

“Pandemia COVID-19 lëre që nuk u menaxhua si duhet por ajo u shfrytëzua që pushtetarët e rinj të bëjnë biznes, me zhvatë buxhetin e shtetit për veti, ndërsa bizneset tjera u mbyllën të gjitha për pothuajse 3 muaj nga pushtetarët e rinj të LDK-së dhe VV-së që u pasuruan gjatë pandemisë”, tha ai.

Haxhiu tha se Kosova është vendi i vetëm në botë që po përballet me valën e tretë, pasi sipatj tij vendet e tjera gjenden në valën e dytë.

“Ne e kemi një valë më shumë për shkak të qeverive të papërgjegjshme Hoti e Kurti. Në Kosovë vala e parë ishte nga muaji mars deri në qershor, vala e dytë nga korriku deri në shtator dhe kjo e treta që ka nisur në muajin tetor mund të zgjasë edhe për një kohë “, theksoi deputeti.

Deputeti opozitar, shtoi se kryeminstri Hoti më shumë ka shkuar ne Bruksel, sesa në QKUK.

Kuvendi sot po mban debat parlamentar në lidhje me gjendjen pandemike në vend dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 në Republikën e Kosovës nga ana Qeverisë.