Bekim Haxhiu - PDK

Deputeti i PDK-së kërkon që të bëhen publik emrat e të testuarve dhe infektuarve me coronavirus

Deputeti Bekim Haxhiu nga PDK-ja prezantoi disa rekomandime që sipas tij duhet të votohen nga Qeveria e Kosovës, për shkak të situatës me pandeminë.

Mes tjerash, ai tha që Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës duhet të autorizohet që t’i publikojë emrat e personave që janë  testuar dhe që kanë rezultuar pozitivë me coronavirus.

“Të votohet ligji anti-Covid, urgjentisht qeveria që me vendim të rritë paga e profesionstëve shëndetësorë, Ministria e Shëndetësisë të punësojë edhe së paku edhe 1 mijë e 500 punonjës shëndetësor, decentralizim të testimeve, të licencohen sektori privat për teste të covid-19 dhe të autorizohet Instituti që të bëjë publike emrat e personave që janë testuar dhe atyre që kanë rezultuar pozitiv”, tha ai.

“Transparenca në këtë drejtim është interes publik sot dhe mundësi e ndjekjes penale për personat të cilët me test pozitiv me COVID-19 shkelin kriteret e izolimit dhe masat mbrojtëse”, shtoi deputeti.

Paralajmërimi i kryeministrit Avdullah Hoti për shqyrtimin e mundësisë që “ t’i bëjnë të ditura” rastet e infektimit me COVID-19, ngjalli reagime në opinion në mbrojten e të drejtave të njeriut.

Megjithatë, zyrtarë të qeverisë janë zotuar se identiteti i të infektuarve me coronavirus në Kosovë assesi nuk do të bëhet publik.

A do të zbulohet identiteti i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë?