Deputeti i PDK-së kërkon nga ministrja Haxhiu mos t’i ndërhyjë gjatë fjalimit

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se ministrat e qeverisë Kurti, sa herë që përballen me kritika kanë arsyetim që njëjtë është vepruar edhe prej qeverive të kaluara.

“Sot më befason kur vendosen këta ministra të kësaj qeverie përballë kritikave të deputetëve arsyetimi është që kështu keni vepruar në të kaluarën”, tha Haxhiu.

Gjatë fjalimit të tij është ndërprerë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Duhet me jav përmend të këqijat që i keni bo…. E di që po ju pengon”, dëgjohet duke thënë ministrja Haxhiu.

E deputeti Bekim Haxhiu kërkoi nga ministrja të jetë më e kulturuar dhe mos të ndërhyjë.

“Të jesh më e kulturuar je ministre, mos ju ndërhyj deputetëve në fjalë, kur doni me folë e ke të drejtën me fol”, tha ai.

Këtu ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi nga ministrja ta lërë të qetë deputetin.

“Zonja ministre a mundesh me ma lan deputetin të qetë të lutem”, tha Konjufca.

Ky debat u bë gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.