Deputeti i PDK-së ftohet nga Gjykata Speciale

Ferat Shala, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Ferat Shala, në Facebook, duke treguar se është ftuar që të jetë në Hagë me 5 shkurt të vitit 2020.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Dua të ju informoj që kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, të cilës do i përgjigjem më datë 05.02.2020”. ka njoftuar Ferat Shala.

Shala ka thënë se asnjëherë nuk është ndjerë me i nderuar se sa kur ka qenë pjesë e UÇK-së.

Ai po ashtu nuk ka treguar se në cilësinë e kujt është ftuar, të dëshmitarit apo të të dyshuarit.

Ferat Shala ka qenë edhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Ferat Shalas:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dua të ju informoj që kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, të cilës do i përgjigjem më datë 05.02.2020.

Në tërë veprimtarinë time jetësore atdhetare asnjëherë nuk jam ndi më i nderuar dhe respektuar se sa kur isha pjesë e UÇK-së! Asnjë shkronjë nuk e heq nga e kaluara ime në të gjitha periudhat e veprimtarisë sime!

Me këtë rast, dua të falenderoj trungun tim familjarë që më edukoi në rrugën e drejtë karshi popullit dhe atdheut tim. Shpreh falenderim dhe mirënjohje për të gjithë bashkëluftëtarët, dëshmorët dhe heronjtë për sakrificën sublime që ata bënë.

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!