Abelard Tahiri, PDK. Foto: Atdhe Mulla

Deputeti i PDK-së e përball Hotin me deklaratat e veta për "mini-Shëngenin ballkanik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka përballur Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti me deklaratat e tij në kohën kur ky i fundit ishte kundër ‘mini- Schengen-it’.

“Çfarë është dashur të përmbyllej me një marrëveshje valide dhe gjithëpërfshirëse për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, u konvertua nga Kryeministri Avdullah Hoti në një listë korrigjimesh të deklaratave të veta dhe të subjektit të cilit ai i takon”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Reagimi i Tahirit erdhi pak orë pasi Hoti nënshkroi marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë me të cilën Kosova e pranon idenë e Mini-Shëngenit ballkanik.

Sipas Tahirit,  lejimi i shfrytëzimit të resurseve ujore nga Serbia është dëm i madh për Kosovën.

“Hoti sot ia bëri hyzmetin “defaktorizimit politik e ekonomik të Kosovës”, siç e quante me 13 nëntor 2019, idenë e “Minishengenit Ballkanik”. Pezullimi i agjendës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, Minishengeni dhe lejimi i shfrytëzimit të resurseve tona ujore nga Serbia, janë ndër dëmet më të mëdha që Hoti ia ka bërë sot Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

Në fund ai ka theksuar se kjo marrëveshje as nga formati e as nga përmbajtja nuk i ngjasonte marrëveshjes por listës së zotimeve.

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë sot janë takuar në Uashington D.C ku në prani të Presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik ndërmjet këtyre dy vendeve.

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë