Deputeti i LVV-së: Qeveria nuk ia ka mbyllur derën 'idesë së gazit'

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni tha se Qeveria nuk ka hequr dorë nga ‘ideja e gazit’ si formë e furnizimit me energji dhe se një mundësi e tillë është ende potenciale.

Hyseni këtë e tha gjatë takimit që pati Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me Sekretariatin e  Komunitetit të Energjisë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka hequr dorë nga ideja e gazit, gazi mund të jetë potencial. Por në kohën kur gazi ka shkuar me çmim shumë të lartë dhe duke ditur që Kosova nuk ka kapacitet dhe infrastrukturë të furnizimit me gaz, Qeveria bashkë me MCC, mjetet e parapara për këtë projekt i kanë dedikuar në akumulimin e energjisë në bateria, që në vend që të eksportojmë energji ne e ruajmë atë, pra Qeveria nuk ia ka mbyllur dyert gazit”, tha Hyseni.

Ndërkaq deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se qeveria e ka neglizhuar një projekt të tillë ndërsa shtoi se Kosova ka pengesa të shumta nga Serbia në fushën e energjisë.

“Kosova është e interesuar që të ketë një integrim të plotë në tregjet e energjisë por me siguri jeni në dijeni se i ka telashet e veta politike, kemi shumë pengesa nga Seria, duke filluar nga veriu i vendit. Ajo që kemi pas debate është gazi. Që BE i ka dhënë mjaft përparësi kur mendon që shtetet evropiane te mos kenë varshmëri prej Rusisë. Qeveria e ka neglizhuar punën e gazit”, tha Lekaj.

Serbia u pa si problem edhe nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Ferat Shala i cili tha se ajo është duke ndërhyrë në sistemin energjetik të Kosovës.

Ndërsa drejtori i sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski  tha se bashkëpunimi rajonal është shumë me rëndësi në fushën e energjisë.

“Legjislacioni është parakusht që të ketë zhvillime në ketë fushë dhe jam shumë i lumtur që dëgjova që janë miratuar disa prej tyre. Sa i përket tregut të gazit është në zemër të komunitetit të energjisë po ashtu është me rëndësi të ketë bashkëpunim në mes shteteve të rajonit”, tha Lorkowski.