Foto: Policia e Kosovës

Deputeti i LVV-së propozon të falen qytetarët që u dënuan gjatë orës policore

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Visar Korenica, ka propozuar që të falen gjobat ndaj qytetarëve të cilët janë dënuar gjatë orës policore për shkak të situatës me COVID-19.

Ai këtë propozim e ka dhënë në seancën e sotme të Kuvendit ku po mbahet interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për faljen e gjobave për bizneset e prekura nga situata me COVID-19.

“Unë propozoj që të falen vetëm qytetarët të cilët janë dënuar gjatë orës policore, sepse me të vërtetë ata kanë pasur nevoja të caktuara që kanë dalë në atë orë dhe janë dënuar”, tha ai.

Deputeti për këtë i ka renditur disa arsye.

“Shumë prej qytetarëve që janë dënuar duke u kthyer nga vendet e punës, ka qytetarë që kanë distancë të largët të shtëpisë nga vendi i punës dhe e kanë pasur të pa mundur që të shkojnë më herët në shtëpi. Këta qytetarë duhet të falen, ata që i kanë gjobat e papaguara të mos i paguajnë kurse ata që i kanë paguar të rimburësohen dhe me anë të fletëpagesave ose formë tjetër që lehtë vërtetohet me ndihmën edhe të Policisë së Kosovës”, tha ai.

Korenica theksoi se nuk duhet të falen bizneset që kanë shkelur ligjin.

“Bizneset nuk kanë nevojë për lëmoshë e as për mëshirë, por për ndihmë konkrete nga qeveria për t’u rimëkëmbur”, u shpreh ai.