Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti i LVV-së: Nuk kemi ndryshuar mendim sa i përket tërheqjes së parave të Trustit

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se nuk kanë ndryshuar mendim sa i përket tërheqjes së parave të Trustit pensional.

Këto deklarime ai i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Seanca e ardhshme do të zhvillohet më 6 qershor ku do trajtohen projektligje të rëndësishme, tani kemi 73 projektligje që janë në proces të shqyrtimit nëpër komisione. Diskutimeve për trustin i kemi dhënë përgjigje, unë flas për qëndrimin e grupit parlamentar, qëndrimi është i njëjtë”, ka thënë ai.

Rrustemi foli edhe për raportimin e kryeministrit Albin Kurti në Kuvend pas vizitave të tij në SHBA e vende të Evropës.

“Padyshim që kryeministri gjatë këtij viti ka raportuar pas vizitave por ka diskutuar në parlament edhe para vizitat. Kurti do raportojë sa herë  që të ftohet nga deputetet”, ka thënë ai.

Rrustemi tutje shtoi se vizita e kryeministrit Kurti në SHBA ka qenë mjaft produktive, duke potencuar se orientimi ka qenë në investime për zhvillim ekonomik dhe siguri.