Deputeti i LVV-së kërkon shkarkimin e ambasadorit Berishaj

Deputeti Burim Meta, nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka kërkuar lirimin nga detyra të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas lajmeve për një skandal financiar.

Meta ka thënë se vendimi për lirim nga detyra të Berishajt do ta ruante imazhin e Kosovës.

“Jo Heshtje! Bazuar në bindjet e mia, mendoj që për rastin e ambasadorit z.Martin Berishaj, duhet të merret një vendim. Është mirë që z.Berishaj të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë. Me një vendim të tillë, në këtë situatë që gjendet shteti ynë, do të ruhej imazhi i Kosovës pakrahasimisht më shumë sesa me mbajtjen në detyrë të Ambasadorit në fjalë, duke respektuar edhe prezumimin e pafajësisë”, ka thënë ai.

Meta ka theksuar se vendi nuk mund të rrezikoj marrëdhëniet me Kroacinë e të përfaqësohet edhe më tutje nga Berishaj.

“Gjithashtu, si shtet nuk guxojmë që të rrezikojmë që në një shtet mik, siç është Kroacia, shtet që e kemi referencë në shumë procese, të përfaqësohemi me një figurë të përfolur tashmë për gjëra që më së paku do të duhej të përfolen ambasadorët”, thuhet në postim.

Mediat sllovene kanë raportuar se Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dyshohet se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi. Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.

Agjencia Kundër Korrupsionit nis verifikimin e pasurisë së ambasadorit Martin Berishaj