Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti i LVV-së, kërkon që Gjykata Speciale të bartet në Kosovë

Deputeti Fatmir Humolli anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ndikimi rus në Ballkan është i fuqishëm dhe Gjykata Speciale sipas tij është ndërtuar për shkak të po këtij ndikimi.

Ai ka kërkuar nga Komisioni që të filloj iniciativën që Gjykata Speciale të bartet në Kosovë.

“Ne duhet me marr masa që këtë gjykatë me pas ne në kontroll. Ose duhet me fillu iniciativën ne si Komision ose më diskutu Grupi Parlamentar që me mbajt një mbledhje të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës rreth Gjykatës Speciale, që Gjykata Speciale me ardh në Kosovë, me u zhvillu në Kosovë e jo në Hagë”, tha Humolli.

Ai ka vlerësuar se janë para një presioni ndërkombëtar në favor të Serbisë.

“Ne si Komision nuk po marrim masa mi parandalu sulmet ruso – serbe kundër Kosovës e kundër kombit tonë”, tha ai.

Kryesuesi i Komisionit Bekë Berisha, tha se ky vendim duhet të merret në Grupin Parlamentar të subjektit të deputetit Humolli. Ai tha se nuk e di nëse kjo punë i takon Komisionit dhe tha se për këtë çështje deputeti Humolli nuk e ka përkrahjen as prej kolegëve të tij.

“Fatmir merreni vendimin në grupin e juaj parlamentar. Njëherë ka qenë një iniciativë për Gjykatën Speciale në Kuvend edhe janë qu janë ardh ambasadorë, KFOR-i etj, dhe kjo më doket që është proces që nuk mundemi me ndal më. Mundemi me kallxu vullnetin, e me bo njëfarë tollovie, nuk e di a bon prej komisionit bile ti ske vullnet as aty prej kolegëve tu”, tha Berisha.

Gjatë mbledhjes së Komisionit deputeti tjetër i LVV Enver Dugolli, kërkoi nga kryetari që kur ka kërkesa për vizita të Komisionit të njoftohen gjithë anëtarët.

Ai e ka përmendur kërkesën që e ka bërë Komisoneri për të Drejtën në Informim i Shqipërisë që të zhvilloj takim me komisionin, por që është refuzuar nga kryetari.

“Tash është e kryer se i ke kthy përgjigje negative. Ke gabu, nuk është dashtë pa na konsultuar edhe neve se a është ndokush i gatshëm me prit”, tha Dugolli.

E kryesuesi Bekë Berisha u arsyetua se kishte seancë në ditën kur ka kërkuar të takohet.

Berisha e ka përmendur edhe zgjedhjen e Komisioneres për Informim dhe Privatësi.

Ai tha se është përjashtuar opozita në përzgjedhjen e saj dhe kjo gjë i ka ndërruar praktikat dhe e ka prishur konsensusin në komision.