Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti i LVV-së i reagon KFOR-it: Kërkuan pak kohë për heqje të barrikadave, u bënë 14 ditë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka reaguar ndaj deklaratave të KFOR-it, të cilët kërkuan sonte përmes një komunikate për media që çështja e barrikadave të zgjidhet me dialog duke ju bërë thirrje palëve të shmangin shfaqjet provokuese të forcës në veri.

Rrustemi thotë se KFOR kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës për t’i hequr barrikadat në veri dhe sipas tij tani më është dita e 14 dhe forcat paqeruajtëse po deklarojnë që kjo zgjidhet me dialog.

“Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë” – ka shkruar deputeti Rrustemi.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia duke iu referuar situatës aktuale në veri të Kosovës, është deklaruar se mbetet në kontakt të afërt me të gjitha palët e përfshira në proces.

Komandanti i misionit të KFOR-it: Palët të shmangin shfaqjet provokuese të forcës në veri

Për zgjidhjen e situatës me barrikadat në veri, Ristuccia thotë së “Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i nxisim të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”- thuhet në komunikatën e KFOR-it.

KFOR-i e ka konfirmuar edhe më herët që ka rritur prezencën dhe patrullimet në muajt e fundit.

Tashmë janë bërë dy javë që nga vendosja e barrikadave në veriun e Kosovës që erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Ministri i Brendshëm ka thënë se Kosova i ka kapacitetet për largimin e barrikadave por kryeministri i Kosovës ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencën që e ka mbajtur më 22 dhjetor në Mitrovicë, tha se nëse KFOR-i nuk i largon këto barrikada, duhet ta njoftojë Qeverinë e Kosovës për pamundësinë e këtij veprimi, me qëllim që këta të fundit ta kryejnë vet këtë punë.