Foto: Mefail Bajqinovci - Facebook

Deputeti i LVV-së e quan hakmarrje shuarjen e Task-forcës Kundër Korrupsionit

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se kryeministri Avdullah Hoti është intervistuar vitin e kaluar në cilësinë e dëshmitarit nga Task-forca antikorrupsion, e cila tash është shuar nga ana e qeverisë që Hoti e drejton.

Deputeti tha se shuarja e kësaj Task-force është hakmarrje e LDK-së.

“Kjo Task-forcë e ka intervistuar po këtë kryeministër bashkë më Hykmeten (Bajramin), kanë qenë dëshmitarë për 53 milionë euro vitin e kaluar, ka kallëzim penal, tre zyrtarë dhe një ish-ministër i LDK-së”, tha ai.

“Ky kryeministër është intervistuar po nga kjo Task-forcë më 14 mars edhe Hykmete Bajrami është intervistuar nga kjo Task-forcë më 4 mars. Unë kam qenë atë kohë gazetar dhe i kam pa se si kanë shkuar këto. Në cilësinë e dëshmitarit. Kjo është hakmarrje e LDK-së. Avdullah Hotit ia kanë arrestuar inspektorët në zyrë në Komunë të Prishtinës”, shtoi deputeti.

Bajqinovci tha se ka infomata të sakta se hetuesit e Task-forcës nuk guxojnë të nisin asnjë hetim.

“Sot këta hetues të Task-forcës, nuk guxojnë të nisin asnjë hetim, keto i kam informata të sakta. Sepse  i pret shpata e qeverisë, andaj sot janë të hendikepuar dhe nuk bëjnë asgjë”, shtoi deputeti opozitar.

Më pas ka reaguar kryeministri Hoti i cili tha se Task-forca e vazhdon punën siç ka qenë.

“Shqetësim është fjalimi yt. Unë nuk kam qasje, nuk i di këto informata. Një deputet thotë se i kam të dhënat e sigurta nga ana e Task-forcës. Një njeri i politikës, nëse ke qasje aty, ky është problemi”, tha ai.

Kurse deputeti Bajqinovci deklaratat e kryeministrit i quajti shpifje.

“Nuk është e vërtetë kjo që the, pra shpife. Sepse ke qenë publik në KTV ke qenë më 14 mars kur je intervistuar. Të lutem si kryeministër mos shpif. Të gjitha këto janë publike”, tha ai.

Në Kuvend po mbahet interpelanca me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së 8 deputetëve të GP të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.