Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu

Deputeti i LVV-së: Do të marrim hapa për shqyrtim në gjykatë për votën e Haxhi Shalës

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se do të marrin hapa për shqyrtim në gjykatë për “votën e kompremetuar” të deputetit të Nismës Haxhi Shala për votimin e qeverisë një ditë më parë.

“…u tregoi të gjithëve se Presidenti po bredhka odë më odë për t’i mbledhur votat për dekretin e tij antikushtetues. Kjo tregon se kjo qeveri nuk i ka pasur votat. Si u bë që ai e lëshoi dekretin pa i pasur votat e siguruara”, tha ai.

Sipas Aliut, kjo është ndërhyrje e qartë e Presidentit në vullnetin e deputetit.

Deputeti nga radhët e Nismës Social Demokrate, Haxhi Shala dje në Kuvend ka shpjeguar se pse ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me qeverinë Hoti.

Ai tha se qëndrimin e ndërroi pasi u takua me Presidentin e Kosovës dhe ish-kryeministrin (Ramush Haradinaj).

“Jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve këto ditë në Kosovë sidomos me rrëzimin e qeverisë dhe themelimin e qeverisë së re.Unë para dy dite kam deklaruar se nuk do ta votoj qeverinë Hoti për arsye të monopolizimit të partisë Nisma për Kosovën nga dy persona por mbrëmë me vizitën që kam pasur në familjen time të Presidentit dhe ish-kryeministrit, z. Haradinaj, kam ndërruar mendjen dhe vota ime do të jetë për këta dy persona për qeverinë Hoti”, tha Shala.

Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu kritikoi edhe qasjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe gjuhën kërcënuese, lidhur me arrestimin e aktivistit të LVV-së, që e quajti Presidentin “hajn”.