Deputeti i LVV-së, Dimal Basha - Foto: KALLXO.com

Deputeti i LVV-së: Ambasadat e Kosovës tërë ditën rrinë duke qitë fall

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka kritikuar stafin e ambasadave të Kosovës në vende të ndryshme të botës.

Ai ka thënë se punonjësit në ambsada gjithë ditën qesin fall.

“Ne e dimë që nëpër ambasadat, sikur që e kemi në Hungari nëpër vende të ndryshme nuk kanë asnjë punë, tërë ditën rrijnë tu qitë fall”, tha deputeti, duke akuzuar partitë në pushtet për nepotizëm në këto institucione.

Këto deklarata ai i ka bërë në seancën e Kuvendit, në pikën e rendit të ditës ku po bëhet shqyrtimi i parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256.

Përmes këtij Projektligji, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që diaspora e Kosovës të mund të votojë edhe në ambasadat përkatëse të Kosovës përveç mënyrës përmes postës.

Kurse, deputeti Basha kritikoi deputetët e LDK-së dhe PDK-së se nuk kanë kontribuar në Ligjin për diasporën.

“Ne ju kemi ofruar [LDK] që në leximin e parë le të kalojë, atëherë ofroni sugjerimet e juaja, nëse ju dini më mirë dhe keni ofertat dhe ne jemi të gatshëm me iu dëgju. Prapë na kanë thënë jo”, tha ai.

Deputeti shtoi se kërkesa e PDK-së për t’u bërë ndryshimet kushtetuese që diaspora të ketë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, nuk është serioze.

Kurse, deputeti i LDK-së, Faton Bislimi tha se t’u thuash fallxhorë punonjësve të ambasadave është paradoksale.

Deputetët e LDK-së mes tjerash akuzuan LVV-në se po e përdor diasporën për qëllime politike, ndërkaq PDK-ja e kritikoi Vetëvendosjen për shuarjen e Ministrisë së Diasporës, sa ishte në pushtet.

Në anën tjetër, LVV-ja ka akuzuar partitë e tjera se po i frikësohen diasporës, pasi sipas trye kjo e fundit e përkrah Vetëvendosjen.