Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti i ‘Listës Guxo’, ministrit Vitia: Kërkoju falje qytetarëve dhe mantilbardhëve për gjendjen e krijuar

Deputeti i Grupit Parlamentar së Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Karameta ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që të fokusohet në fushatën për kryetar të Prishtinës. Ai, përmes një letre të hapur ka kërkuar nga Vitia që të u kërkoj falje personelit shëndetësor, duke kritikuar vendimin e fundit të ekzekutivit kosovar për shtesat.

“Jo lëmoshë, as ndihmë, as përkëdhelje, por jo as 60€ për mantilbardhët. Edhe 600€ po të ishin, nuk do të ishin të mjaftueshme. Mjekësia, mjekët, infermierët dhe i tërë personeli mbështetës, meritojnë përkrahje dinjitoze e identitare’’, ka shkruar në letrën publike deputeti Karameta

Deputeti Karameta i kërkoi Vitisë që të lë ministrinë e të fokusohet për zgjedhjet lokale, ku ai kandon për të parin e Prishtinës.

“I nderuar z. Vitia, mbase jeni lodhur, mbase ju ka humbur koncentrimi për t’u marrë me çështje ministrore, por që duhet të definonit pozicionet e tua politike kjo s’ka dyshim. Një veprim i tillë nga ana juaj duhet ndërmarrë, ngase në të kundërtën do të dobësoheshit akoma më shumë në vendimmarrje që përkojnë me nevojat qytetare’’, ka thënë Karameta.

Ai ka kërkuar nga ministri Vitia që të kërkojë falje qytetarëve dhe mantilbardhëve për gjendjen e krijuar.

“Z. Ministër, merru me Prishtinën, është shumë të qëndrosh deri në tetor aty! Nuk jam këtu për të shkruar vetëm dështimet e tua, e di që ke bërë edhe shumë punë të mira, e disa janë në proces e sipër, por tani nga ti kërkohet diç tjetër. I nderuar z. Vitia, nga pak gjëra që ua kam lakminë është guximi yt për të kërkuar falje. Andaj, merr guximin dhe kërko falje qytetarëve e mantelbardhëve, sepse kështu sadopak do të çliroheshit ju dhe mbase do të ngjallësh përsëri shpresën”, ka thënë ai.