Deputeti i LDK-së thotë se ka votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat në parti

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e kësaj partie, Haxhi Avdyli ka bërë të ditur se ka votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat e saj në LDK.

“Unë sapo votova kundër kësaj kërkese absurde dhe që i përngjan diferencimit ideopolitik të sistemeve të kaluara. Faktikisht ky vendim i Isa Mustafës dhe disa njerëzve rreth tij ka për t’ju kthyer bumerang kurdo që ata vendosin të dalin para qytetarëve”, tha Avdyli për KALLXO.com.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka kërkuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së.

Mustafa këtë e ka kërkuar përmes një letre të cilën e ia ka drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, në të cilën ka kërkuar që Avdullah Hoti të marrë pozitën e nënkryetarit në vend të Vjosa Osmanit.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, Mustafa ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që të votojnë nëse janë për, kundër apo abstenojnë, deri sot në ora 19:00.

Kurse, deputeti Avdyli ka kritikuar ashpër këtë vendim.

“Nuk mund ta diferencosh dikë që e ka besimin e qytetarëve që e kemi deleguar për ta marr besimin e tyre pastaj ta devijosh atë besim duke çuar te dikush tjetër dhe ta diferencosh atë të cilën e ka mbrojtur të drejtën e vet dhe të drejtën e qytetarëve të cilët e kanë votuar”, shtoi ai për KALLXO.com.

Sipas tij, LDK-ja është më e madhe se Isa Mustafa e Agim Veliu.

“Këta kanë pritur që edhe të largohej vetë Vjosa Osmani dhe nuk kanë arritur ta largojnë nga LDK-ja sepse LDK-ja nuk është Isa Mustafa dhe Agim Veliu, por është më e madhe se këta, është një filozofi, është një frymë më e madhe sesa që përfaqësojnë këta”, theksoi ai, duke shtuar se beson që qytetari mendon më ndryshe sesa kryetari i LDK0-së, Isa Mustafa.

Isa Mustafa kërkon që Vjosa Osmani të shkarkohet nga pozitat në LDK, e propozon Hotin në vend të saj