Deputeti i LDK-së: Pllaka për Bob Dole përmban të pavërteta, të evitohet skandali i turpshëm!
Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, ka reaguar ndaj përmbajtjes së pllakës përkujtimore të inauguruar sot në Prishtinë bashkë me bustin e senatorit amerikan, Bob Dole.
Sipas Bislimit, teksti përmban të pavërteta dhe është tentim klandestin, i ulët dhe i gërditshëm për tjetërsim dhe personalizim pa bazë të historisë.
Deputeti i ka bërë thirrje ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla që menjëherë ta përmirësojë gabimin në mënyrë që të evitohet siç ka thënë ai – skandali i turpshëm.
Ky është reagimi i plotë i deputetit Faton Bislimi:
“Personalizimi i rrejshem i historisë nuk na bënë nder — Ministrja Haradinaj-Stublla të mësojë faktet, të permirësojë menjëherë gabimin që të evitojë skandalin e turpshëm!
Teksti i Pllakës Përkujtimore i shpalosur sot në qendër të Prishtinës në nderim të 30 vjetorit të vizitës historike të delegacionit të Senatit Amerikan të kryesuar nga i madhi Bob Dole përmbanë të pavërteta dhe është tentim klandestin, i ulët dhe i gërditshëm për tjetërsim dhe personalizim pa bazë të historisë! Kjo pllakatë është vendosur nën patronatin e MPJ-së!
Të thuhet se vizita historike e Dole me kolegë tjerë nga Senati Amerikan u bë për shkak të diasporës shqiptaro-amerikane “të udhëhequr nga Jim Xhema” është shtrembërim i historisë që nuk kapërdihet dot! Çdo respekt për kontributin e madh dhe të pamohueshëm (edhe financiar bile) të z. Xhema, por ai në atë periudhë kohore ka qenë anëtar i Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane të udhëhequr nga Kongresisti Joe DioGuardi. E verteta sikur e bardha në të zezë është se vizita e delegacionit të Senatit në krye me Dole ishte organizuar dhe përgatirur nga DioGuardi dhe Liga. Ajo vizitë ka ardhë si rezultat i punës së mëherëshme të paktën pesë vjeçare të DioGuardit me Dole që nga viti 1985 kur të dy ishin në Kongres!
Po ashtu, storja se para Grandit pati përleshje të policisë kriminele serbe të asaj kohe me shqiptarët e tubuar aty është e ngatërruar me viziten paraprake të nje delegacioni të Kongresit të SHBA-ve të udhehequr nga Kongresisti Tom Lantos dhe Joe DioGuardi e realizuar në Maj 1990. Që nga kjo vizitë DioGuardi ishte shpallë “persona non-grata” dhe iu kishte ndaluar hyrja në Jugosllavi, prandaj edhe ai mungoi në vizitën e delegacionit të Dole në fund të Gushtit 1990!
I bëj thirrje urgjente Ministres Haradinaj-Stublla që ta përmirësojë menjëherë këtë gabim trashanik dhe keqbërës në tekstin e pllakës përkujtimore dhe të kërkojë falje publike për denigrimin që ka tentuar t’ia bëjë historisë së marrëdhënjeve tona me SHBA-të, me apo pa qëllim! Mosreflektimi eventual i zonjës në fjalë do bëhet barrë edhe për Kryeministrin Hoti dhe të gjithë Qeveria e Kosovës!
Injorimi i të vërtetës faktike është skandal që nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë, për asnjë çmim, ndaj askujt! Boll mo me bajraktarizëm të rrejshëm!”