Foto: Frashër Demaj/Facebook

Deputeti i LDK-së kritikon kolegët: Fjalët 'të lutem' dhe 'më fal' i keni larguar nga fjalori

Deputeti i LDK-së, Frashër Demaj, ka kritikuar kolegët e tij për ofendimet dhe fyerjet që po bëhen në seanca të Kuvendit.

Demaj shtoi se e ka marrë malli që në Kuvend të dëgjojë fjalët “të lutem” dhe “më fal”.

“Ju lutem shumë, se më ka marr malli me dëgju fjalën ‘ju lutem’ dhe ‘më fal’. E keni hjek prej fjalorit. Ju kisha lut juve me pasë durim pak edhe më dëgju sepse shpeshherë po vuajmë edhe nga mungesa e kulturës së dëgjimit se është themelore edhe në traditën tonë edhe në Kuvendn e  Kosovës që të dëgjojmë të paktën për respekt ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.

Demaj shtoi se nuk pajtohet me diskursin e fyerjeve dhe sharjeve që u bëhen misioneve diplomatike të Kosovës.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, partitë në pushtet dhe opozita po përplasen për të drejtat e diasporës.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka kritikuar stafin e ambasadave të Kosovës në vende të ndryshme të botës. Ai ka thënë se punonjësit në ambasada gjithë ditën qesin fall.

“Ne e dimë që nëpër ambasadat, sikur që e kemi në Hungari nëpër vende të ndryshme nuk kanë asnjë punë, tërë ditën rrijnë tu qitë fall”, tha deputeti, duke akuzuar partitë në pushtet për nepotizëm në këto institucione”, tha ai.