Arben Gashi, LDK

Deputeti i LDK-së kërkon që të liberalizohet tregu për testet për COVID-19

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të liberalizojë tregun për testet PCR për COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë duhet urgjentisht ta liberalizoj tregun për testet PCR për Sars-CoV-2 dhe të mos lejoj kundërligjshëm operimin e një kompanie të vetme në treg për këto teste”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Pas shpërndarjes së informacioneve se në njërin nga laboratorët privat të licencuara për testin për COVID-19 me metodën PCR është paguar 200 euro, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash, deri në 200 euro.

“Është plotësisht në të drejtën e qytetarit nëse do të zgjedh të kryej një test serologjik apo PCR test sikurse edhe çmimin të cilin do ta paguaj”, theksohet në njoftimin e Ministrisë

Pas lajmeve se testi për COVID-19 është paguar 200 euro ka reaguar edhe laboratori privat “Medical Laboratory & Services“.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas ankesave të qytetarëve në lidhje me çmimin e testit për COVID-19.