Deputeti i LDK-së ka vërejtje për pezullimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, tha se kryeministri Hoti është duke bërë veprime të mira në raport me dialogun.

Sipas tij, kryeministri nuk duhet dhe nuk i ikë përgjegjësisë kushtetuese sa i përket këtij procesi.

“Unë nuk jam këtu me bo avokatin e kryeministrit apo qeverisë sepse edhe une kam dyshimet e mia. Kam vërejtjet e mia edhe për pezullimin në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Gashi.

Deputeti shtoi se duhet shkuar në institucione dhe vizita ndërkombëtare, duke prezantuar qëndrimet e Kosovës.

“Nuk refuzohet pjesëmarrja, është e padiskutueshme. Nëse është diçka e papranueshme për Kosovën, refuzohet”, tha ai.

Ndërkaq, një ditë më parë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kuvend tha se nuk është ndalë tentativa për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Kurrë më të vëmendshëm nuk keni qenë, as të pazhurshëm se kur fola une. Për mu ke hera e parë që po flas, më erdh shumë mirë se keni çka me msu…E përseris, Ministria e Punëve të Jashtme nuk e ka pezullu asnjë aktivitet të fushveprimtarisë së saj, veç dje i kam nënshkru 14 instrumente të aderimit në konventa ndërkombëtare të cilat janë depozitu”, tha ajo.