Deputeti i dënuar Etem Arifi e fshehu në formularin e KQZ-së dënimin

Vota e tij ishte përcaktuese për qeverinë të cilës do t’i printe Avdullah Hoti. Por, jo shumë kohë pas, votimi për formimin e ekzekutivit kosovar po kontestohet nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Për këtë, dje, më 2 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mbajti një seancë të gjatë dëgjimore, ku pranoj argumentet e palëve të përfshira.

Etem Arifi bëri një deklarim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kur u certifikua si kandidat për deputet, për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit 2019.

“Zotohem të respektoj legjislacionin ekzistues të zgjedhjeve dhe i përmbahem Kodit të Mirësjelljes. E kuptoj se me çfarëdo deklarate të rreme të dhënë nga unë në këtë formular do të humbas të drejtën për tu paraqitur si kandidat”, thuhet në formularin për certifikim të kandidatëve për deputet. E në fund të këtij deklarimi, më 06.09.2019, Etem Arifi e vendosi edhe nënshkrimin e tij.

Ligji për Zgjedhjet, në nenin 29 flet për përshtatshmërinë e kandidatëve për deputet të Kuvendit të Kosovës. Pika q, e këtij neni tregon rastet kur një kandidat nuk mund të jetë kandidat për deputet.

“Shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”, thuhet në pikën q të nenit 29 të ligjit për zgjedhjet.

Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim Arifin për veprën penale mashtrim me subvencione.

Aktualisht, deputeti Etem Arifi po vuan një dënim ndërkohë që pagën prej deputetit, edhe pse nuk shkoi kurrë në seancë të Kuvendit të Kosovës, ai vazhdoi ta merrte.

Deputetit që votoi rrëzimin e Kurtit po i ec rroga edhe në burg

ww.kallxo.com