Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti i AAK-së: Kërkojmë përgjigje nga institucionet e sigurisë për vrasjen në Gllogjan

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe deputeti nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se kërkojnë përgjigje nga institucionet e Kosovës në lidhje me vrasjen që ndodhi javën e kaluar në fshatin Gllogjan të Deçanit.

I pyetur sot nga gazetarët se cili është niveli i sigurisë në Kosovë, Berisha tha se shqetësues është rasti i vrasjes në Gllogjan të Deçanit javën e kaluar, ku u vranë në një autobus tre persona.

“Janë shqetësuese sidomos rasti në Gllogjan, ku janë vrarë një shoferë i autobusit dhe dy fëmijë, një është plagosur.  Kjo është një temë që na ka shqetësuar të gjithëve , kërkojmë përgjigje nga institucionet e sigurisë. Ne si shtet, taksapaguesit e Kosovës paguajmë shumë në institucionet e sigurisë për të pasur siguri, për të pasur informacion dhe për të ditur cka ndodhë, domethënë insistojmë gjithherë në atë se të dihet çka ka ndodhë, edhe kryesit e kësaj vepre të ulët të dalin para drejtësisë”, tha ai.

“Mirëpo si komision kur ta ftojmë ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtorin e policisë i trajtojmë këto tema”, shtoi deputeti.

Vrasja tre personave në Deçan ndodhi mbrëmjen e së premtes së kaluar në fshatin Gllogjan të Deçanit në një autobusë që po transportonte nxënës. Nga të shtënat me armë vë vdekur mbetën shoferi i autobusit dhe dy të rinj të moshës 17-vjeçare.  Në lidhje me këtë rast ende nuk është arrestuar asnjë person.

Institucionet e Kosovës kanë ofruar 20 mijë euro shpërblim për atë që jep informacione për autorin e vrasjes në Gllogjan.