Haxhi Shala - Foto: Facebook

Deputeti Haxhi Shala intervistohet si i dyshuar për kërcënim

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala është intervistuar nga Policia të premten e kaluar në lidhje me një kërcënim.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Lumni Graishta, deputeti Shala është marrë në pyetje pasi një person ka raportuar se është kërcënuar nga ai.

“Të premten një rast kanosje është raportuar në Malisheve dhe policia me autorizim të prokurorit ka marrë të gjtha veprimet e nevojshme ku janë ftuar për intervisim të gjithë dëshmitaret, dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, tani jemi në hetim të rastit”, tha thënë Graishta.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me prokurorin Ali Uka i cili tha se janë në kërkim të personave të tjerë të cilët thuhet se kanë përcjellë fjalët e deputetit.

“I kam dhanë urdhër policisë dhe e ka intervistu policia për kanosje, tani jemi në kërkim edhe të  dy ose tre personave të tjerë të cilët kinse kanë shku dhe i kanë përcjellë fjalët e Haxhi Shalës”, ka thënë Uka.

KALLXO.com, ka provuar të kontaktojë edhe me deputetin Haxhi Shala mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur telefonatave.