Deputeti Haliti: Mungesa e klasifikimit të mbeturinave ndikon direkt në jetën e qytetarëve

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, potencoi se mungesa e klasifikimit të mbeturinave ndikon direkt në jetën e qytetarëve në nivel vendi.

“Mungesa e klasifikimit të mbeturinave ndikon direkt në jetën e qytetarëve. Mungesa e inspektimeve të rregullta është tjetër shkaktar i mos klasifikimit të tyre”, tha ai gjatë komisionit.

Haliti po ashtu theksoi se gjatë vitit 2018 është hartuar një projekt për menaxhimin e letrës, por sipas tij nuk është punuar mjaftueshëm në atë drejtim, deri sa tregoi se dy kompani të pastrimit, në Ferizaj dhe Fushë Kosovë, kanë mungesë të makinerive për ndarje të mbeturinave.

“Kompanitë rajonale ‘Pastrimi’ dhe ‘Pastërtia’ nuk kanë makineri për ndarje të mbeturinave”, shtoi ai.

Ndonëse gjatë mbledhjes së këtij komisioni nuk ishte i pranishëm ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, atë e zëvendësoi zëvendësministrja, Linda Çavdarbasha.

Zv/ministrja tha se janë duke bashkëpunuar me GIZ-in gjerman të cilët janë duke bërë një hulumtim të posaçëm për qeset e plastikës.

“Do të përgatisim të gjithë udhëzimet administrative në legjislacionin e nevojshëm për të cilën është duke na ndihmuar edhe GIZ- i ku është duke e bërë një hulumtim të posaçëm për qeset e plastikës. Në fillim të janarit do të angazhohet eksperti i cili do ta bëjë këtë analiza dhe deri në fund të vitit 2022 po besoj do e përfundojmë këtë analiza dhe viti 2023 është viti ku do të fillohet implementimi i të gjitha masave të marra”, tha ajo gjatë mbledhjes së komisionit.