Foto: Nikolas Lobel/Facebook

Deputeti gjerman: Është koha që VV e LDK ta bëjnë qeverinë

Deputeti gjerman i Unionit Kristian-Demokrat (CDU), Nikolas Löbel, ka thënë se koha për të përfunduar negociatat për formimin e qeverisë veçse ka ardhur.

Löbel, deputet i partisë së Kancelares Gjermane Angela Merkel, me anë të një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar kanë treguar vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe se kjo tani duhet të jap rezultate në qeverisje efektive dhe demokratike.

“Është koha që të përfundojnë negociatat për formimin e qeverisë në Kosovë. Vullneti i njerëzve për ndryshime dhe demokracia e shprehur me 6 tetor të vitit të kaluar duhet të përkthehet në një qeverisje efektive dhe demokratike dhe sundim të ligjit për të siguruar të ardhmen dhe jetën e prosperuar të BE-së për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Löbel.

Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje doli bindshëm e para si më e votuar nga qytetarët e Kosovës.

 

Në më shumë se katër javë, Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës po mbajnë takime për tu dakorduar që të bashkë qeverisin.

Deri më sot ka pasur takime të shumta që janë mbajtur ndërsa informacionet për gazetarët nuk kanë qenë edhe shumë transparente.

Për formimin e qeverise ka folur sot edhe Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker.

“Këshilla ime e vetme është, ngutuni dhe bëjeni atë. Jam i sigurt që ai e ka dëgjuar këtë nga shumë njerëz, pse do të më dëgjonte mua nuk e di, por këtë po e them. Kanë kaluar 100 ditë nga zgjedhjet dhe kam menduar se negocimi dhe ndarja e pozitave e këto kanë qenë diçka që e ka bërë sistemi i vjetër. Kam menduar se ky është një sistem i ri, udhëheqje e re, ide të ndryshme. Kështu që le të formohet qeveria”, është shprehur ish-ambasadori.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për takime e LDK-së me LVV-në për formimin e qeverisë.