Deputeti gjerman: Data e vizave mund të jetë dhuratë për Krishtlindje

Deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Peter Beyer, tha së Gjermania përkrah procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, por nuk pranoi të japë ndonjë datë së kur mund të ndodhë kjo.

Beyer nga konferenca për media në Prishtinë, bashkë me kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinaj, tha së data e liberalizimit të vizave mund të jetë dhuratë për festat e fundvitit.

“Gjermania është një shtet që mbështet integrimin e Kosovës në BE dhe për liberalizmin e vizave. Është dukur shpesh se ka pasur premtime dhe data. Ne nuk kemi cekur asnjëherë datë se kur do të ndodhë, i jemi drejtuar gjithmonë procesit. Nuk është e drejtë që shteti i vetëm që s’ka liberalizim të vizave, ne do të kemi grupe punese më 2 shtator dhe do të punojmë në këtë drejtim”, tha ai.

“Z.Ramush ka shprehur dëshirë që kjo të ndodhë para Krishtlindjes, gjë e cila do të ishte mirë të ndodhë por ashtu sikurse edhe në të kaluarën nuk kam dëshirë të jap data ashtu siç ka thënë Johannes Hahn t’i lëmë atij çfarë ka thënë ai, nuk dua të ndryshoj deklaratën e tij, por të punojmë në procesin, kjo është e gjitha. Unë nuk dua të jap datën por ndoshta do të jetë një dhuratë për Krishtlindje”, u shpreh tutje Beyer.

Deputeti gjerman Peter Beyer dhe Ramush Haradinaj – Shtator 2019

Deputeti gjerman ka thënë se Gjermania mbetet kundër shkëmbimit të territoreve dhe përkrah integrimin e Kosovës, por edhe të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Qëndrimi ynë është së Kosova duhet t’i ruajë kufijtë që i ka”, tha ai.

Gjithashtu, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë, ai kërkoi një proces zgjedhor ‘fer’.

“Biseduam që Kosova ndodhet para zgjedhjeve dhe është një fazë e shkurtë e fushatës. Unë ftoj për një proces fer zgjedhor. Kemi biseduar sepse vetëm sa erdha nga Beogradi dhe kam bërë ftesë në Beograd për rifillimin e dialogut dhe kjo është shumë me rëndësi. Duhet të hyhet në këtë proces pa kushte nga të dyja palët”, u shpreh Beyer.

Deputeti gjerman sot gjatë qëndrimit të tij në Kosovë është takuar edhe me përfaqësues të subjekteve të mëdha politike në vend.