Foto: BBC/AFP

Deputeti francez: Rrugët e Dijonit u ngjajnë rrugëve të Kosovës me banda të armatosura, me kallashnikovë në duar

Qyteti francez Dijon është përballur që nga e premtja e deri të hënën në mbrëmje me akte dhune, me ç’rast ka pasur edhe të shtëna, të lënduar e të arrestuar.

Siç njoftojnë mediat franceze, dhuna është shkaktuar nga një grup çeçenësh, të ardhur nga rajone të tjera të Francës për t’u hakmarrë për sulmin ndaj një të riu çeçen nga banorët e një lagjeje të qytetit.

Është dashur ndërhyrja e forcave të rendit dhe ardhja e forcave shtesë për të qetësuar situatën.

Zyrtarë shtetërorë e kanë dënuar këtë dhunë në rrugët e qytetit, duke kërkuar që të bëhet gjithçka që të ndalet kjo dhunë “ndërmjet bandave”.

Madje, një deputet i Parlamentit francez (Asamblesë Kombëtare), Eric Ciotti, ka thënë se rrugët e Dijonit po i përngjajnë me “rrugët e Kosovës me banda me kallashnikovë në dorë”.

“Siguria e menjëhershme është e domosdoshme. Nuk mund të lejohet përhapja e kësaj lufte bandash, kjo skenë lufte, kaosi që po përgjithësohet. Rrugët e Dijonit ishin rrugët e Kosovës me banda të armatosura, me kallashnikovë në duar…”, ka thënë Ciotti në një intervistë televizive.

Këtë deklaratë, deputeti i Republikanëve e ka publikuar në profilin e tij në Twitter.

Dhe, ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-eurdeputetja gjermane, Doris Pack.

Pack ka thënë se Kosova nuk është vend i luftërave të bandave. “Kosova nuk është vend i luftërave të bandave. Çfarë krahasimi skandaloz!”, ka shkruar ajo.

Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar shumë persona, në mesin e tyre edhe ish-deputeti i ish-ministri i Shqipërisë, Genc Pollo, i cili ka thënë se në rrugët e Kosovës nuk ka skena të tilla (të njerëzve me kallashnikovë në duar) që nga lufta e vitit 1999.

Ka edhe reagime të tjera që thonë se siguria në Kosovë është më e mirë se në Francë.