Deputeti flet për raportimin e Kryeinspektorit të AKI-së në Komision Parlamentar

Ligjshmëria e emërimit të Burim Ramadanit si Kryeinspektor në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës ka qenë njëra ndër çështjet e biseduara ditën e sotme në komisionin mbikëqyrës të AKI-së.

Kështu tha pas mbarimit të raportimit, anëtari i Komisionit të AKI-së, Arbër Rexhaj i cili i takon subjektit politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Tema që është ngritur nga anëtarët e VV në komision që janë, ka qenë tema se sa ka qenë e ligjshme emërimi i kreut të AKI-së dhe kryeinspektorit pasi që dihet ndikimin dhe afërsinë që e kanë me presidentin Thaçin dhe ish kryeministrin i cili në atë kohë e ka emëruar Ramadanin si kryeinspektor”, tha Rexhaj për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se Ramadani nuk është pyetur në lidhje me kasafortën e hapur me dokumente konfidenciale të cilën është raportuar se e ka lënë ish-ushtruesi i detyrës së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Sipas raportimeve në këtë kasafortë kanë qenë dokumente komplekse dhe konfidenciale për sigurinë kombëtare.

“Jo, tema për çështjen e kasafortës nuk është bërë. Ideja e takimit ka qenë raportimi i Ramadanit dhe në atë takim është folë për ligjshmërinë dhe detyrat që ka Ramadani. Ai ka raportuar për këto para komisionit dhe për çështjen që po thoni ju për kasafortën nuk ka pasur fare aty”, tha Rexhaj tutje.

Në lidhje me mungesën e njërës nga tri pozitat kyçe të AKI-së për 9 muaj, Rexhaj thotë se ka qenë shqetësim i ngritur gjatë raportimit të Ramadanit para komisionit.

“E kemi ngritur edhe shqetësimin e mungesës 9 mujorëshe të kryeinspektorit dhe natyrisht që kjo do të i sillte probleme sepse në një farë forme nuk ka pasur mbikëqyrje në aspektin e ligjshmërisë për 9 muajt e kaluar dhe njëra ndër pyetjet e drejtuara ndaj Ramadanit ka qenë kjo dhe kemi marrë përgjigje nga ai, ka thënë se vakumin e atyre muajve do ta përmbush”, shtoi ai.

Në lidhje me gjendjen e sigurisë në Kosovë, Rexhaj thotë se për këtë çështje do të duhej të përgjigjej Drejtori i AKI-së por që i njëjti në raportimin e tij të fundit ka qenë i mangët me raportim.

“Po e kemi diskutuar edhe gjendjen e sigurisë, në fakt kjo ma shumë i ka taku të na jap përgjigje drejtori i AKI-së se sa kryeinspektori mirëpo sic e dini drejtori i AKI në mbledhjen e kaluar raportuese nuk ka dhënë përgjigje edhe pse ne me mandat dhe të thirrur për atë komision kemi të drejtë të marrim përgjigje, por ai nuk e ka parë të arsyeshme të na përgjigjet pothuajse në asnjë pyetje edhe atëherë kur është përgjigjur ka qenë edhe nën nivel të transparencës profesionale. Kemi pasur më shumë ligjërime dhe përgjithësime se sa ndonjë raport që specifikon diçka”, tha Rexhaj për KALLXO.com.

Rexhaj tha se në mbledhjen e fundit ku ishte thirrur të raportonte Drejtori i AKI-së ishte biseduar edhe për rastin e Kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Në fakt ai ka raportuar në mbledhjen paraprake së bashku me deputetët e tjerë të VV dhe e kemi diskutuar jo transparencën e tij profesionale. Pra nuk kemi marrë përgjigje, kemi pasur pyetje që kanë qenë serioze pra është fjala për Behgjet Pacollin i cili ka thënë se ka pasur mesazh që ka qenë në rrezik dhe pastaj kemi pyetur edhe për presidentin Thaçi i cili ka thënë se ka pasur informacione nga agjencisë apo shërbimet mike për një sulm terrorist dhe për çështje të tjera por që i njëjti nuk ka marrë fare mundin që të përgjigjet”, tha Rexhaj.

I pyetur nga KALLXO.com në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 brenda AKI-së, Rexhaj tha se një temë e tillë nuk është diskutuar por do të duhej të diskutohej, ndërsa për shkak të konfidencialitetit të agjencisë tha se nuk mund të jap detaje të tjera në lidhje me mbledhjen e sotme.