Deputeti Fetah Rudi, kërkon nga institucionet t`u ofrojnë qasje personave me nevoja të veçanta

Fetah Rudi, deputet i LDK-së i cili ka ftuar debatin parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me nevoja të veçanta në Republikën e Kosovës, iu ka bërë thirrje gjitha institucioneve të ndërmarrin gjitha veprimet dhe t`i ofrojnë qasje personave me nevoja të veçanta sepse është shkelje e ligjit dhe diskriminim.

Fetah Rudi, tha se me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta po përfundohet puna e vendosjes së liftit për qasjen e personave me nevoja të veçanta përdorues të karrocave për në hapësirën e sallës së seancave të Kuvendit.

“E vlerësoj këtë punë shumë dhe e falënderoj kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani për angazhimin e saj të vazhdueshëm për tu rregulluar ky lift… Falënderoj zyrtarët punëtorët që për një vit rresht më bartën shkallëve për të ardhur në Kuvend. Nga mungesa e këtij lifti mësuam se Kuvendi duhet t`i rishikoj ligjet për t`i hequr burokracitë ligjore”, tha Rudi.

Rudi tha se Sipas gjendjes në terren dhe sipas Avokatit të Popullit shqetësuese vazhdon të mbetet dështimi i shtetit në respektimin e të drejtave të njeriut.

“Sipas gjendjes në terren dhe sipas avokatit të popullit shqetësuese vazhdon të mbetet dështimi i shtetit në respektimin e të drejtave të njeriut, trajtimi i barabartë, lëvizjes së lirë, qasjes adekuate dhe pa diskriminim në shërbimet publike të personave me nevoja të veçanta nga mosarritja e përfshirjes së nevojave të tyre”, tha Rudi.

Sipas tij e drejta e shkollimit po kufizohet prej objekteve të pa qasshme të shkollave, mungesës së asistentëve personal, mos funksionalizimi i plotë dhe profesional të vlerësimit të nevojave të fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Sa i përket mungesës së asistentëve personal në shkolla familjarët vetë detyrohen të ofrojnë asistimin”, shtoi ai.

Rudi tha se edhe mos punësimi i personave me nevoja të veçanta mbetet sfidë.