Deputeti Fetah Rudi i shtrirë në Infektivë pas infektimit me COVID-19

Deputeti nga radhët e LDK-së, Fetah Rudi po trajtohet në Klinikën Infektive pas keqësimit të gjendjes si shkak i COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur djali i tij, Petrit Rudi përmes Facebook-ut.

Rudi ka shkruar se gjendja e tij është stabile dhe drejt përmirësimit.

“Të dashur miq, në pamundësi që tu përgjigjemi të gjitha thirrjeve dhe interesimit të juaj për gjendjen e babit, ju njoftoj se pas keqësimit të gjendjes, babi po e vazhdon trajtimin në Klinikën Infektive në Prishtinë. Momentalisht gjendjen e ka stabile, me shenja drejt përmirësimit. Lutemi për shërimin e plotë të babit, dhe të gjithë të prekurve me COVID-19. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë,” ka shkruar Petrit Rudi.

Fetah Rudi ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 më 25 gusht, atë kohë Rudi deklaroi se trajtimin do e vazhdojë në shtëpi.