Etem Arifi (në këmbë) gjatë një gjykimi.

Deputeti Etem Arifi ende në arrati

Deputeti Etem Arifi i dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim me subvencione ende nuk është paraqitur për të vuajtur dënimin me burgim prej 1 viti e 3 muajsh.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, Isuf Iberdemaj.

Iberdemaj ka thënë se  “i dënuari Etem Arifi nuk është paraqitur ende për vuajtjen e dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë”.

Ndërsa më 13 gusht KALLXO.com është njoftuar nga zëdhënësja e Gjykatës së Prishtës, Mirlinda Gashi se nga Policia e Kosovës nuk kanë marrë ende njoftim zyrtar për arrestimin e të dënuarit Arifi.

“Ju njoftojmë se deri më tani Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës se i dënuari E.A. është arrestuar”, tha ajo.

KALLXO.com më 13 gusht ka pyetur Policinë e Kosovës nëse kanë arritur ta ndalojnë ose ta arrestojnë deputetin, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur pyetjes konkrete.

Po ashtu, KALLXO.com është munduar ta kontaktojë të dënuarin Etem Arifi, përmes telefonit por të njëjtin e kishte jashtë linjës.

Kujtojmë se Etem Arifi dhe Bajram Gashi me 20 prill 2018,  janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin akuzuar për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.