Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti Abazi ankohet se shefja e grupit parlamentar të LVV-së e largoi nga ulësja e tij në Kuvend

Deputeti Haki Abazi ka thënë se shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e ka lejuar të ulet në ulësen e tij në grupin parlamentar të LVV-së.

“Incidenti i radhës që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Kur shkova te ulësja në Kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Ç…. e G……, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelen time nga aparati, dhe afër tij kishin zhvendosur Sali Zybën. Kaq fuqi kanë, kaq dije kanë dhe me këto gjëra merren, kush ku ulet dhe me kë flet. Turp Krejt dhe Drejt”- ka shkruar ai në facebook.

Sipas tij, ky ka qenë një skenar për të orkestruar përplasje fizike me deputetin Sali Zyba.

“Si duket për të mbuluar dështimin në Bruksel të një rezultati negativ që ka orientuar procesin drejt ose kompromisit që e dështon rendin kushtetues të vendit ose e izolon Kosovën nga perendimi, deshën sot në Kuvendin e Kosovës të orkestrojnë një skandal e përplasje fizike me Sali Zybën. Asnjë kuptim tjetër nuk kishte prezenca e përforcuar e Zybës. Ky mentalitet politik i Kurtit është dëshpërues dhe veprim fëmijësh”- ka shkruar ai.

Abazi ka thënë se për të nuk ka rëndësi në cilën ulëse ulet, duke theksuar se është betuar për të thënë të vërteten dhe për të mbrojtur interesin publik të vendit.

Më 28 shkurt të këtij viti, deputeti Haki Abazi kishte publikuar një letër përmes të cilës kishte thënë se po i ndanë rrugët me kryeministrin, Albin Kurti. Ai në qeverinë Kurti 1 ka qenë zëvendëskryeministër, ndërsa në qeverinë Kurti 2 nuk ka pasur ndonjë funksion.

Abazi kishte kritikuar partinë e tij, se nuk po e lejojnë të flasin në seancë të Kuvendit.

Abazi e pyet Salih Zybën se pse u larguan nga puna Linda Çavdërbasha, Tropika Agaj dhe Valëza Mjeku