Kryesia e Kuvendit, Foto: Kuvendi i Kosovës

Deputetëve u zvogëlohen shpenzimet për telefona dhe përfaqësim

Këshilltari i kryetares së Kuvendit, Artan Murati, ka njoftuar se sot në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës është marrë vendim që të zvogëlohen shpenzimet në mbushje telefonike.

Sipas Muratit ky vendim është marrë që të kursehet paraja publike dhe të reduktohet luksi e shpenzimet e panevojshme.

Murati gjithashtu ka shkruar se Kuvendi ka filluar të trajtojë edhe shpenzimet e biletave të udhëtimit dhe derivateve, ndërsa ka njoftuar se është miratuar rregullorja që garanton transparencë dje llogaridhënie për mediat.

“Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit, me iniciativën e Kryetares së Kuvendit, iu dha fund shpenzimeve të kota të telefonisë dhe përfaqësimit. U miratuan ndryshimet përmes së cilave zvogëlohen vlerat e mbushjeve e shpenzimeve tjera dhe ruhet paraja publike, duke reduktuar kështu luksin dhe shpenzimet e panevojshme. Po ashtu, Kryesia e Kuvendit ka filluar ta trajtoj shumë seriozisht secilin cent të shpenzuar edhe në bileta udhëtimi dhe derivate, duke synuar minimizimin e shpenzimeve. Kryesia po ashtu miratoi Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe publikut në punën e Kuvendit, e cila garanton rritje të mëtutjeshme të transparencës dhe llogaridhënies karshi mediave dhe qytetarëve”, ka shkruar Murati.