Deputetët vizitojnë karantinën, kërkojnë të dijnë ankesat e qytetarëve

Komisioni Parlamentar i të Drejtave të Njeriut, i kryesuar nga nënkryetarja e komisionit, Besa Ismaili, kanë vizituar karantinën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për të parë për afër kushtet dhe dëgjuar ankesat e qytetarëve të karantinuar.

Ismaili tha se kanë ardhur për të dëgjuar edhe anën tjetër të tregimit mbi kushtet në karantinë.

“Si nënkryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, në kuadër të mandatit si deputet, ne kemi ardhur këtu në karantinë për të parë gjendjen e qytetarëve tanë, të marrim edhe anën e tyre të tregimit, jo vetëm atë nëpër konferencat për shtyp që marrim. Kjo është detyrë jonë dhe ky është qëllimi ynë. Rasti tragjik i Agon Musliut, na bën që neve në këto mjedise të qëndrojmë me dhimbje të madhe dhe të mundohemi të kuptojmë në tërsi të gjitha rrethanat që kanë quar në atë situatë”, tha deputetja e PDK-së.

Ajo nuk dha detaje mbi atë se çfarë kanë parë brenda karantinës.

“Arsyeja pse jemi këtu sot dhe do të jemi edhe në instanca tjera të drejtësisë është se duam ta ç’karantinojmë transparencën, në kuptimin e transparencës nëpër të gjitha pikat që kanë shërbyer si karantinë. Ne jemi këtu për të mbikëqyr për atë që ka ndodhur”, tha ajo.

Ajo tregoi disa nga përshtypjet që i kanë marrë nga qytetarët e karantinuar.

“Përgëzojmë punën e personelit shëndetësor, të policisë dhe në veçanti dua të përcjell falënderimet tona për vullnetarët që ishin të angazhuar. “Kemi parë qytetarë të kënaqur të kënaqur me disa shërbime, kemi pa të tjerë që janë mërzitur për familjen. Ne jemi këtu si mbikëqyrës së punës së ekzekutivit dhe mendoj që duhet të jeni të paanshëm”, tha në fund ajo.