Deputetët vizitojnë banorët e Bitisë që po kundërshtojnë hidrocentralin në lumin e fshatit

Një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë vizituar sot banorët e fshatit Biti të Shtërpcës për të biseduar me ta rreth problemeve që kanë me furnizim me ujë pas fillimit të ndërtimit të një hidrocentrali në lumin e fshatit.

Hajrulla Çeku, deputet i Vetëvendosjes, i cili ka qenë në këtë delegacion, tha për KALLXO.com se nga ato që ka parë, ka hapësirë për të dyshuar në projektin kundër të cilit banorët lokalë po protestojnë tash e disa vjet.

“Nuk dua të paragjykojë mbi shkeljet eventuale ligjore, mirëpo ajo që pamë sot lë hapësirë për dyshime”, tha Çeku për KALLXO.com

Gjithashtu, ai tha se ka edhe raporte që flasin për parregullsi.

“Ka raporte të shoqërisë civile që dëshmojnë për një numër parregullsish, si dhe një peticion të qytetarëve të Kosovës që kërkon vendosje të rregullit dhe ligjit në raport me hidrocentralet në gjithë vendin”, shtoi tutje ai.

Deputeti i Vetëvendosjes tutje thotë se do të kërkojnë raportin e detajuar të gjendjes nga Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit.

“Hapi ynë pasues është të kërkojmë një raport të detajuar të gjendjes nga Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit, me qëllim që të përshpejtohen veprimet adekuate institucionale”, tha ai.

Çeku potencoi se kjo është detyrë e Ministrisë dhe se Komisioni Parlamentar do të insistojë që kjo çështje të trajtohet konform rëndësisë dhe urgjencës që ka.

Ai tha se me qytetarët kanë biseduar në lidhje me cenimin e ujit të pijshëm, rrezikimin e shëndetit si dhe pamundësinë që ata t’i ujisin tokat e tyre.

Pjesë e delegacionit të deputetëve në Biti kanë qenë edhe deputetët Liburn Aliu (VV), Xhavit Uka (LDK) dhe Bajrush Xhemajli (PDK).