Deputetët shqyrtojnë Raportin vjetor të ZRRE por nuk e votojnë për mungesë kuorumi

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2019 i cili nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk mund ta votojnë një raport të tillë.

Murati shtoi se ky raport përmban të dhëna për punën dhe aspektin financiar.

“Çdo lëvizje e vogël në këtë treg ka ndikim mjaft të madh në gjepin dhe shportën e qytetarëve. Gjatë vitit të kaluar jemi dëshmitarë të një vendimi skandaloz të këtij institucioni. Miratimi i tarifave nxitëse për projektet solare i cili vendim ishte marr kundërligjshëm me 28 nëntor dhe një ditë pas tërmetit famëkeq në Shqipëri. Askush s’po merrej me ngjarjet që po ndodhnin këtu bordi i këtij institucioni merrte vendim që të favorizonte biznese të lidhur me politikën”, tha Murati.

Murati shtoi se për këtë çështje si Grup Parlamentar e kanë dërguar një padi e cila ka ndikuar në pezullimin e atij vendimi.

“Ky institucion është përgjegjës edhe për dhënien e licencave për hidrocentrale dhe për miratimin e tarifave nxitëse po ashtu”, shtoi Murati.

Ndërsa grupet parlamentare të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së u shprehën se do ta përkrahin këtë raport.