Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Deputetet nuk pajtohen nëse ka apo jo femicid në Kosovë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar ndaj fjalimit të deputetes së LVV-së, Arjeta Fejza e cila ka thënë se në Kosovë femicidi po ua merr jetën grave.

Deputetja Ganimete Musliu thotë se në Kosovë nuk vriten gratë veç pse janë gra. Sipas Musliut duhet kuptuar që në shoqërinë tonë nuk ka femicid.

‘’Fjala femicid do të thotë urrejtje ndaj grave. Ka dhunë ndaj grave, ka që vriten gra, vriten edhe burra. Por, nuk guxojmë që në këtë Parlament t’i japim emrin femicid. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse shkruhen raporte mbi këtë çka flasim ne këtu dhe të trajtohemi ne si shoqni femicide, kjo është e papranueshme’’ – ishte reagimi i deputetes Musliu.

Ajo tha se është për t’u dënuar vrasjet në Kosovë, për t’u vendosur drejtësi efektive, por nuk është për drejtësi selektive, drejtësia duhet të jetë si për burrat ashtu edhe për gratë.

Ndërsa, deputetja Arjeta Fejza tha se nëse analizohet, femicidi ka të bëjë me vrasjen ndaj grave.

‘’Kemi 66 gra të vrara dhe të themi se gratë nuk Kosovë nuk vriten vetëm pse janë gra, kjo është e papranueshme. Në Kosovë ka femicid dhe ka vrasje të grave sepse janë gra’’ – tha deputetja e LVV-së, Fejza.

Ndërkohë Musliu ia kërkoi Fejzas statistikat e të burgosurve për vrasje.

‘’Shoqëria kosovare nuk është shoqëri femicide. Nuk jemi as Afganistan, as Iran, jemi shoqëri demokratike’’ – përfundoi Ganimete Musliu.

Pjesë e këtij diskutimi u bë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se nuk do të donte që në foltore të ketë një deputete që ka një qasje të tillë për këtë çështje.

“Kriminelët iu dëgjojnë dhe inkurajohen nga fjalimet e tilla. Deputete kemi 66 gra që janë vra nga burrat e tyre vetëm pse janë gra. Pres dhe të ftoj t’i bashkohesh angazhimit tonë kundër dhunës në familje. Mendësia jote shfaq mendësinë e qeverisjes së PDK-së sepse asnjë veprim nuk e keni ndërmarrë asnjëherë për ta adresuar dhunën ndaj grave” – tha Haxhiu.