Deputetët nuk kthehen në Kuvend pas pauzës, shtyhet seanca

Seanca e sotme (31.10.2024) e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për të hënën (04.10.2024) për shkak të mungesës së kuorumit për të vazhduar punimet.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ndonëse kanë kaluar 20 minuta prej kohës kur është dashur të fillonte seanca, deputetët e shumicës nuk janë kthyer në sallë pas pauzës.

“Me sa po e shoh mazhoranca nuk po merr pjesë në ketë seancë dhe ora shkoj mbi 20 minuta përtej asaj kur e kemi thirr. Propozoj të vazhdoj kjo të hënën në orës 12:00, pas mbledhjes së Kryesisë”- u shpreh ai.

Disa deputetë të opozitës u panë në sallë pas pauzës. Ndërsa nga LVV-ja, i pranishëm ishte vetëm deputeti, Valon Ramadani.

Para se deputetët të shkonin në pauzë, u shqyrtuan disa pika të rendit të ditës.

Fillimisht u miratua kërkesa e Grupit Parlamentar të LVV-së për të zëvendësuar nëpër komisione disa deputetët të cilët janë larguar së fundmi nga kjo parti. Deputeti Njazi Isaku u emërua anëtar në Komisionin për Buxhet në vend të deputetit Visar Korenica, deputetja Shqipe Metaj – Isufi u propozua anëtare në vend të deputetit Eman Rrahmani, ndërsa në vend të deputetes Drita Millaku, pozitat e saj në dy komisione u propozua të zëvendësohen nga deputetja Jetmire Vrenizi dhe deputeti Milazim Salihaj.

Më pas Kuvendi miratoj në lexim të dytë, Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit, Projektligjin për kripto-asetet dhe Projektligjin për regjistrin e pronarëve përfitues.

Pas këtyre pikave, në rend për shqyrtim ishte pika e tetë, propozimi i gjashtë deputetëve të PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, e cila mbeti pa u trajtuar pasi u vendos që deputetët të shkojnë në pauzë.

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës kishte në rend të ditës gjithsej 27 pika. Në mesin e tyre edhe Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Më 11.09.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa nene të këtij ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën.

Ky ligj ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës më 21.02.2023.