Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Deputetët në mesnatë përplasen për arsim e drejtësi

Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi janë përfshirë në akuza gjatë seancës së Kuvendit.

Deputeti Tahiri në fjalën e tij, duke kritikuar qeverinë e kaluar dhe aktuale, ish-kryeministrin Albin Kurti e cilësoi mashtrues, ndërsa kryeministrin Avdullah Hotin përfitues.

Pas kësaj reagoi deputeti Bulliqi duke thënë se Tahiri ka folur sikur Vetëvendosje të ishte në pushtet për 20 vjet.

“Ky është ai që i ka gënjyer qytetarët e Kosovës për krejt këto vite që duhet dhënë tokë Malit të Zi sepse pason liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe po i  njëjti na shet demagogji këtu në emër të PDK-së”, tha ai.

Ndërkaq, Tahiri akuzoi Bulliqin për nivelin e arsimit në Podujevë.

“Kur e shoh kush po flet në emër të Vetëvendosjes, vërtetë është interesant. Personi që sapo foli për dy mandate e ka udhëhequr arsimin në Komunën e Podujevës dhe nota mesatare në Komunën e Podujevës është 2.62.  Nuk ka ku me shku ma keq, imagjino çka i ka bo arsimit”, tha deputeti i PDK-së.

Ndërsa deputeti i LVV-së, ia përmendi Tahirit, konkursin e shumë përfolur për noter sa ky i fundit ishte ministër i Drejtësisë.

“Ky njeri e ka udhëhequr një ministri dhe ky njeri për punën e mirë që e ka bërë me rastin e noterëve, lënda e tij është në process gjyqësor dhe ky duhet të merret me gjyqin”, tha ai.