Deputetët me kritika ndaj RTK-së

Komisioni për Buxhet, Pune dhe Transfere ka miratuar raportin e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për tre mujorin e kaluar si dhe kërkesën  buxhetore për shpenzimet për tre mujorin e ardhshëm.

Deputetët kanë kritikuar përfaqësuesit e RTK-së sa i përket kërkesës buxhetore.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se RTK-ja është duke u degraduar sa i përket menaxhimit financiar.

“Është shumë jo profesionale me e vazhdu me këtë qasje kanë ardh me qëndrime shume kategorike sa i përket planifikimit me buxhet. Por duke degraduar me tutje menaxhimi financiar. Kam frikë se për një periudhe RTK-në kemi me margjinalizu në treg”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica tha se RTK-ja  duhet të ketë planifikim të saktë sa i përket shpenzimeve tre mujor.

“Ju duhet të planifikoni se çfarë do të shpenzoni ne tre mujorin e ardhshëm duhet të ndalohet mënyra që buxheti të ndahet në katër pjesë. Duhet të shkëputni nga e kaluara”, tha Korenica.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka prezantuar raportin e shpenzimeve për muajin prill maj dhe qershor.

“E kemi përmbyllur me 67 mijë euro plus. Ende jemi në situatë emergjente financiare”, tha kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Ahmetxhekaj: Në RTK nga shtatori do të fillojë reformë e thellë