Ministria e Kulturës

Deputetët kërkojnë nga prokuroria ta hetojë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Kuvendi i Kosovës ka diskutuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2019 në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Kujtim Gashi i PDK-së.

Me 71 vota për dhe 10 abstenime Kuvendi ka miratuar rekomandimet e komisionit për raportin.

Bedri Hamza, deputet i PDK-së, në emër të komisionit tha se komisioni e ka shqyrtuar raportin i cili sipas tij ka opinion të pakualifikuar me theksim të çështjes.

“Ka pasë progres në raport krahasuar me periudhat paraprake. Ka pasë adresim më të madh të rekomandimeve në raport me periudhat e kaluara. Anëtarët e komisionit kanë vendosë që ta procedojnë në seancë dhe sa i përket mundësisë së përmirësimit të secilës organizatë buxhetore dhe unë pres që seanca ta diskutojë këtë raport”, tha ai.

Arta Bajralia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtare e komisionit për Financa Publike tha se raporti i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve është raporti me më së shumti gjetje nga ZKA që ka ardhur te deputetët deri tani.

“Nuk janë marrë për bazë dhe vetëm një pjesë prej tyre janë zbatuar”, shtoi Bajralia.

Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që prokuroria të merret me shkeljet ligjore.

“Është e vërtetë se komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike ka shqyrtuar një numër të auditimeve me theks të veçantë këtë raport e ka drejtuar për ta shqyrtu në seancë plenare. Komisioni në këtë auditim ka gjetë shkelje të shumta dhe të përsëritura”, shtoi Gaxherri.

Ajo ka kërkuar nga prokuroria që të merret me këto shkelje ligjore.

“Kërkojmë që prokuroria të merret më këto shkelje ligjore. Kërkojmë nga Ministria të na njoftojë për masat që i ka marrë a janë iniciuar procedura disiplinore për shkeljet e bëra vite me radhë në këtë ministri”, tha Gaxherri.

Edhe deputeti i LVV-së Eman Rrahmani i ka kërku prokurorisë të merret me gjetjet e Auditorit pasi sipas tij “këto të dhëna janë publike dhe të merret me personat që po e keq menaxhojnë, po e vjedhin dhe keqpërdorin buxhetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Bedri Hamza beson që ministrja dhe stafi i ministrisë do ta marrin në konsideratë zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga Zyra e Auditorit dhe të ketë përmirësim të situatës në këtë minsitri.

Edhe KALLXO.com ka shkruar lidhur me gjetjet e raportit të Auditorit.

Auditori: Ministria e Kulturës shkeli ligjin, mbështeti projekte pa konkurs