Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputetët e rinj të PDK-së që pritet të zëvendësojnë Bedri Hamzën dhe Fadil Nurën në Kuvend

Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit pritet të sjellin ndryshime në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kjo pasi që sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, dy deputetë aktual të kësaj partie, pritet të bëhen kryetar komunash, duke i liruar kështu vendin dy pasardhësve të tyre nga listat e kandidaturave për deputetë nga zgjedhjet e fundit nacionale të 14 shkurtit.

Bëhet fjalë për Bedri Hamzën që pritet të jetë kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, pasi siguroi 53,86 për qind të votave si dhe Fadil Nurën i cili mori 57,99 për qind të votave si kandidat për kryetar të Skenderajt.

Në vend të Hamzës dhe Nurës, sipas numrit më të madh të votave pas tyre, deputetë të PDK-së do të jenë Rashit Qalaj dhe Isak Shabani.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, në garën për deputetë, Rashit Qalaj ka marrë 9 mijë e 160 vota, kurse Isak Shabani mori 8 mijë e 729 vota.

Rashit Qalaj më herët ka qenë drejtor i Policisë së Kosovës. Isak Shabani aktualisht është Udhëheqës i Divizionit për Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetsore në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga ueb faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani 21 komuna do të shkojnë në balotazh, ndërsa në 17 është përcaktuar fituesi më 17 tetor.

Këto janë 21 komunat që pritet të shkojnë në balotazh