Foto: Radovan Stoklasa/Reuters/Aljazeera

Deputetët e qeveritarët sllovakë dhurojnë pagat e tyre për "Fondin e Solidaritetit"

Kryeministri Sllovake Igor Matovic ka themeluar një “Fond të Solidaritetit” për të ndihmuar familjet dhe njerëzit që përballen me vështirësi financiare për shkak të krizave të coronavirusit, raporton Balkan Insight.

Disa anëtarë të qeverisë dhe deputetë të koalicionit vullnetarisht do të japin pagat e tyre për të mbushur arkat e fondit. “Paga ime është rreth 5,000 euro, dhe gjithçka do të shkojë në fond “, tha Matovic. “Ligji nuk mendon për rastet individuale të familjes. Solidariteti është arma më e fuqishme për ta luftuar coronavirusin”.

Zëvendëskryeministrja Veronika Remisova kërkoi edhe nga menaxherët e kompanive shtetërore të kontribuojnë. “Ky solidaritet duhet të vazhdojë dhe të përhapet në të gjithë vendin”, tha ajo.

Fondi do të menaxhohet nga përfaqësuesit e partive politike dhe “figurat publike”, tha Matovic.

Lëvizja erdhi pasi politikani i ekstremit të djathtë Marian Kotleba dënoi koalicionin e deputetëve që nuk deshi t’i ulë rrogat e tyre.

Ndërkohë, numri i rasteve të COVID-19 në Sllovaki ka arritur në 400. Zyrtarët kanë konfirmuar vdekjen e parë: një burrë 60 vjeç nga qyteti i Bojnice.

Përgatiti: Gentiana Ahmeti